http://www.albmaster.com/
   
  al_alket@hotmail.com
  Monumente Kulture
 

Kalaja, bërthama historike e kryeqytetit

Kalaja e Tiranës


 

Kalaja e Tiranës ishte një stacion rrugor i vijës Egnatia i tipit Mansio-Mutatio. Ajo përbënte qendrën e një vendbanimi, të emërtuar me një variacion emrash që në shekujt e parë të erës sonë.

Tirkan (shek IV e.s ), Tergiana (1297) kur në të ishte vendosur kancelaria e sundimtarit të saj Karli I Anzhu, dhe në formën e sotme Tyranna (1505) sipas Barletit. Ky tiponim akoma nuk është saktësuar plotësisht.

Por kalaja, dëshmia më e lashtë e këtij qyteti, ndodhet pikërisht në vendin ku derdheshin e kryqëzoheshin rrugët e vjetra e të reja që e lidhnin kryeqytetin dhe pastaj krejt Shqipërinë – veriun me jugun, lindjen me perëndimin.

Secila nga rrugët e vjetra, para se të hynin në Tiranë dominoheshin nga një kështjellë apo kala.

Kështjella e Lalmit (shek. II e.s.) ndodhej në kodrinën ku lumi Erzenit merrte kthesën e lejonte kalimin rrugor drejt Petrelës.

Kalaja e Tujanit, një fortifikatë e gurtë me formë katërkëndëshe, ku gjurmët e jetës hasen që nga periudha e parë e hekurit. E rindërtuar në shek e IV e.s., ajo ishte porta hyrëse e koridorit Dibër-Tiranë-Durrës.

Në anën tjetër, pranë malit të Vilës ku janë ngushticat e Krrabës, ndodhej qyteti ilir i Parthinëve-Persqopi (shekIV-III p.e.s.), banorët e të cilit më pas u shpërngulën në Petrelë.

Kalaja e Dorëzit në kodrën ndërmjet lumit të Trezës e të Piollit ( periudha e I e hekurit), pastaj Kalaja e Ndroqit, e Prezës e Ishmit, të gjitha së bashku, këto kala antike e mesjetare përbënin rrethin mbrojtës të Tiranës. Kalaja e Tiranës ishte dhe mbeti bërthama historike e trevës së Tiranës dhe rezidencë administrative përgjatë mesjetës së mesme.

Si e tillë vazhdoi të ekzistonte edhe në shek. e XVII kur qyteti i Tiranës u shtri përreth saj duke patur një qendër qytetare me kullijen (kompleksin social kulturor) të ndërtuar nga Sulejman Pasha, pazarin zejtar tregtar nga pamja veriore, Namazgjanë dhe urën e Tabakëve nga ana lindore, ndërtesat e qeveritarëve brenda truallit të kalasë.

Nga dy anët e tjera kalaja ngrihej mbi brigjet e lumit të Lanës.

Është menduar që në vitin 1640, Ahmet beu kreu punime rindërtuese në muret rrethues të kalasë duke i ngritur ato në lartësi mbi strukturat antike. Vepër e tij ishte edhe kulla e gjatë që mbetet akoma pjesërisht në gjendje të mirë. Kalaja pëson dëmtime sërish në periudhën e luftrave ndërfeudale të shek XVIII, kur aty u përplasën trupat e Ahmet Kurt pashës së Beratit me Bushatllinjtë. Populli i Tiranës i mbyllur brenda saj u mbrojt me heroizëm dhe kalaja nuk u pushtua nga asnjëri prej tyre. Të kësaj kohe janë sistemi i frëngjive për armë zjarri në pjesën më të lartë të mureve rrethues.

Pas vitit 1814 Kalaja e Tiranës bëhet rezidencë e sundimtarëve të rinj të saj ; Toptanëve të ardhur nga Kruja, të cilët ndërtuan dy shtëpi njërën për banim dhe tjetrën për pritje që janë dhe sot. Përgjatë shek XX kur humbet funksioni i saj origjinal për mbrojtje, vërehen dëmtimet më të mëdha. Ajo humbi një pjesë të mureve rrethues dhe thuajse nuk lejon të kuptohet nga mbetjet, formulimi i saj i plotë stilistik.

Megjithatë ajo sërish mbeti rezidencë qeveritare apo vendi më i spikatur për to edhe në ditët tona. Në truallin e Kalasë janë sot Akademia e Shkencave, Kuvendi Popullor dhe Galeria Kombëtare e Arteve.

A do të ndriçohet plotësisht historia e saj?

Legjendave, fare pak mund t’iu besohet. Tradita gojore e sidomos burimet e shkruara nuk besojmë të kenë shterur. Sidoqoftë, mbetet akoma një rrugë e sigurtë, gjurmimi arkitekturor me metodat e vlerësimit të shkencës së restaurimit. Ky proçes iluminist ka nisur në vitin 2002, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të Bashkësisë së Tiranës me Institutin e Monumenteve të Kulturës, të cilët sëbashku i kushtojnë një vëmendje thelbësore këtij monumenti themelor të programit “ Kthim në identitet”.

E parë në këtë konceptim Kalaja e Tiranës ishte dhe duhet trajtuar në epokën tonë si bërthama historike e kulturore e Kryeqytetit.

 

 

Xhamia e Tiranës

Xhamia e Tiranës


 

Xhamia e Tiranës është një monument me vlera historike, e cila në harmoni me Kullën e Sahatit formojnë një kompleks monumental me vlera për qytetin tonë, që i prezantohen çdo vizitori që hynë në qytetin e Tiranës.

Xhami ka filluar të ndërtohet në vitin 1794 nga Mulla Beu. Periudha e ndërtimit zgjati deri më 1821, ndërtim që u përfundua nga i biri i Mulla Beut, Et’hem Beu. Ambientet e brendshme përbëhen nga Salla e Lutjeve mbuluar me kupolë, portiku dhe minarja. Ndriçimi i brendshëm bëhet nëpërmjet 5 dritareve në secilën faqe, të vendosura në tre rradhë. Ka vetëm një port hyrjeje në anën veriore. Para portës së hyrjes ka një vend shtesë për lutje duke përfshirë dhe kahun lindor. Portiku mbështetet mbi një bazament, veshja me gurë e të cilit është bërë pak më vonë, rreth vitit 1940.

Portiku qarkohet me 14 harqe vendosur mbi 15 kolona 1 copëshe prej guri, mbi të cilat kemi kapitelet të zbukuruara me motive bimore. Përveç portikut Haxhi Et’hem Beut i takon dhe ndërtimi i minares, e ndërtuar nga gurë të gdhendur prej mjeshtrave të përpunimit të gurit. Me interes janë edhe gurët prej mermeri të zbukuruara po me motive bimore. Në përfundimin e ndërtimit 1821 bëhet edhe pikturimi në brendësi dhe në anën e jashtme të Sallës së Lutjeve. Ndërsa arkado mbaroi së pikturuari më 1823.

Xhamia e Haxhi Et”hem Beut dallohet dhe stili unik i kullës me kupolën e ndriçuar bollshëm.

Në përgjithësi pamja e saj e jashtme së bashku me minaren janë tepër harmonike e në përpjestime të arrira. Për vlerat që ka, Xhamia është shpallur monument kulture nën mbrojtjen e shtetit.


 

Kisha e Kroit të Shëngjinit

Bazelikë


 

Bazelikë


 

Tirana u themelua si qytet më 1614, por toka mbi të cilën u ndërtua ka gjurmë më të hershme banimi. Një nga këto dëshmi të vjetra i takon zonës perëndimore të qendrës të qytetit, e cila u zbulua në vitin 1972. Zbulimi nxori në dritë gjurmët e një kishe të shek.IV-V

Kisha nga mënyra e ndërtimit ka specifikat e saj. Ajo paraqitet si një ndërtim me aks gjatësor, me drejtim perëndim-lindje. Ajo përbëhet nga naosi (salla) në perëndim, ndërsa narteksi (parasalla) dhe mjediset e tjera janë të vendosura në anën veriore.

Muret e ndërtesës janë të ngritur rreth 30 cm mbi sipërfaqen e tokës, duke pasur tulla në qoshe dhe shpatullat e dyerve. Naosi (salla) e vendosur në anën perëndimore, ka përmasa 8 x 11,5 metra e shtruar me mozaik dhe përfundon me apsiden gjysëm rrethore në anën lindore në nivel pak më të lart se salla.

Narteksi me përmasa 12,9 x 5 metra ka brinjë më të gjatë atë veri-jug dhe është i shtruar po me mozaik. Në sallën kryesore ky hyhej, porta ishte ndërtuar me aks në murin perëndimor, ndërsa në parasallë janë dy dyer të vendosura ndaj aksit gjatësor, siç e kërkon dhe ana funksionale e vet ndërtesës.

Me interes për të gjykuar mbi zhvillimin e kësaj treve, në veçanti për këtë qendër banimi fshatare në rrugët që lidh Dyrrahun me Skampën, janë dy mozaikët, ai i naosit dhe norteksit. Mozaikët e naosit (sallës) janë me motive gjeometrike dhe figurat që krijohen i nënshtrohen simetrisë ndaj aksit gjatësor të sallës. Brenda saj është kompozuar i gjithë motivi me figura të shumëllojshme gjeometrike si gërsheta, trekëndësha, rrathë që ndërpriten dhe 4 vazo interesante me vizatimet e të cilave janë vendosur dhe kubikë prej paste xhami.

Mozaiku i narteksit që ruhet më pak tregon se ka qenë edhe më i bukur. Fragmentet e mbetura veç dekorit gjeometrik kanë edhe një sërë figurash nga bota e kafshëve, si shpendë dhe peshq (simbole kulti). Po ashtu mozaiku i narteksit qarkohet me motive, me arkonde, por këtu përdoret pak sistemi gjeometrik, bëhet dhe më i çrregullt.

Mendohet se godina është rënuar në periudhën e antikitetit të vonë, kemi të bëjmë me një ndërtesë banimi të shek. II-III të erës sonë të kthyer në kishë gjatë shekullit të IV-V në ndërtesë kulti.

 

Ura e Tabakëve

Ura e Tabakëve


 

Me lindjen e Tiranës si qendër qytetare më 1614, u vu re një zhvillim i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë. E ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare, Tirana fitoi vit pas këtij viti rëndësinë dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve rreth saj, të cilët vit pas viti rritën popullimin e qytetit.

Përveç rrugës Egnatia, e përmendur në lashtësi e që kalonte në pjesën perëndimore të Tiranës së sotme, një aks tjetër i rëndsishëm ishte ai që lidhte Tiranën me malësinë e saj. Ajo quhej, e madje vazhdon të quhet, “Rruga e Shëngjergjit”. Kjo rrugë kalonte në pjesën lindore të Tiranës, në Priskë të Madhe, Qafë Priskë, Domje, Shëngjergj, e më tej vazhdonte në Bizë, Martanesh, Zerqan e deri në Dibër të Madhe. Kjo rrugë ishte e rëndësishme pasi shërbente për lëvizjen nga këto krahina malore të karvaneve me prodhime blegtorale për të cilat këto zona dalloheshin. Kope të tëra bagëtish, për shkak të dimrit të ashpër të malësisë lëviznin në zonat me klimë të butë të kodrinave e fushës së Tiranës. Një pjesë e mirë e këtyre bagëtive në hyrje të dimrit dhe pas shtimit të tyre në pranverë destinoheshin për treg. Banorë të ndryshëm u vendosën në periferi të Tiranës së atëhershme duke pritur karvanët e bagëtive të malësisë. Ato u “specializuan” kryesisht në therjen e bagëtive dhe përpunimin e lëkurëve. Disa familje të vjetra tiranase që prej 2-3 brezash e sot e kësaj dite merren me këtë veprimtari. Të tilla janë familjet Xheleti, Kuka, etj. Pikërisht prej aktivitetit të rregjies së lëkurëvë lagja u quajt “Tabakanë” dhe rruga u quajt “Rruga e Tabakëve”, pra e lëkurërregjësve. Madje këtë emërtim morën edhe sheshi dhe një grup familjesh që mbajnë edhe sot mbiemrin “Tabaku”. Me këtë emërtim u pagëzua edhe ura e shekullit XVIII që lidhte të dy brigjet e Lanës, pra u quajt Ura e Tabakëve. Ajo është dëshmi e zhvillimit të qytetit dhe shtimit të komunikimit me zonat e brendshme.

Ura e Tabakëve dallohet për arkitekturën e saj harmonike si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementëve të saj. Ajo përbëhet nga një hark kryesor mbi të cilin ngrihet ura në formë kurizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësor me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3.5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2.5 metra, ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethor me hapësirë të vogël. Ura e Tabakëve e luajti funksionin e saj për kalimin nga një breg i Lanës në tjetrin deri nga vitet ‘30. Më pas Lana mori drejtim tjetër duke devijuar nga rruga e saj e përhershme.

Urat e vjetra prej guri dëshmojnë për tradita të lashta të vendit tonë në fushën e ndërtimeve. Ato vërtetojnë punën e madhe të mjeshtrave popullorë e konkretisht edhe të atyre Tiranas.


 

Qendra e Tiranës, Ansambël Monumental

Qendra e Tiranës


 

Ky ansambël ka filluar të ndërtohet në vitet 1929-1930-1931 e konceptuar nga arkitektektët Italianë Armando Brasini dhe Florestano de Fausto. Qendra e kësaj zone Muzeale u pasurua edhe me vlera të mirëfillta kombëtare siç janë simbolet e Aleksandit të Madh dhe ato të Skënderbeut. Sheshi Skënderbej me ndërtimin e këtij ansambli u bë një shesh i mirfilltë për historinë e qytetit dhe të gjithë vendit.Vlera historike e këtij ansambli qëndron në faktin se unifikoi me harmoni vlerat ekzistuese të qytetit me vlerat e reja që po merrte Tirana si kryeqytet i vendit.

 

Në vitin 2000 Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e shpalli qëndrën e Tiranës Ansambël Monumental.


 

 

Pamje të Ansamblit Monumental e vitit 1931


Bulevardi Zogu I 1931


 


Sheshi Skënderbej 1931


 


Bashkia e Tiranës 1931


 


Kompleksi i Institucioneve Administrative 193


 


Pamje nga Tirana1931


 


Pamje nga Tirana 1931


 


Pamje nga Tirana 1931


 

 
 
   
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free